Telegrafi

Osmani rithekson urgjencën për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të premten në takim Shyrete Tahirin Sulimanin, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës.

Presidentja ka shprehur përkrahjen e saj të parezervë për të mbijetuarat e dhunës seksuale, duke theksuar rëndësinë e vënies së autorëve të këtyre krimeve të tmerrshme para drejtësisë.

Më tej, ajo ka përsëritur thirrjen për një bashkëpunim të gjerë vendor dhe ndërkombëtar për garantimin e drejtësisë dhe përkrahjen ndaj viktimave.

“Presidentja Osmani përsëriti thirrjen për ta dënuar dhunën seksuale si armë të luftës në Kosovë e më gjerë. Ajo potencoi se nevojitet  solidarizim dhe mbështetje e sinqertë përkrah të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe falënderoi znj.Sylejmani për angazhimin e saj intensiv për këtë kauzë, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj”, thuhet në njoftimin për media. /Telegrafi/