Site icon Telegrafi

Osmani reagon pas sulmit në Francë: Terrorizmi dështon kur të gjithë qëndrojmë të bashkuar kundër tij

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmit terrorist që ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Francë.

Osmani ka pohuar se krimet e jashtëzakonshme në Francë kanë shkuar kundër vlerave fetare, dhe se ato duhet të dënohen.

“Liria e shprehjes dhe toleranca fetare janë vlera që ne i çmojmë, kultivojmë dhe duam t’i shohim duke lulëzuar në të gjithë botën. Krimet e jashtëzakonshme në Francë shkojnë kundër këtyre vlerave të pa kompromis ne të gjithë duhet t’i dënojmë ato. Terrorizmi dështon kur të gjithë qëndrojmë të bashkuar kundër tij”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Ndryshe, opinioni në Francë por edhe në gjithë botën është shokuar sot, pas sulmit të përgjakshëm që ka ndodhur sot në katedralen Notre Dame në Nice.

Sulmuesi me thikë në dorë ishte futur brenda katedrales duke bërtitur “Allah Akbar”, dhe më pas vrau tre persona dhe plagosi disa tjerë.

Në sulm kanë humbur jetën dy gra dhe një burrë, e njërës prej viktimave i është prerë koka. Policia pas intervenimit ka qëlluar sulmuesin të cilin më pas e arrestoi dhe e dërgoi për tretman në spital. /Telegrafi/

Exit mobile version