Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, konsideron se debati për arrestimin e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, nuk duhet të bëhet në lidhje me marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Francës, por në mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas saj është Serbia ajo e cila ka treguar një sjellje armiqësore ndaj Kosovës, jo vetëm gjatë viteve të 90-ta, por edhe pas përfundimit të luftës duke riaktivizuar fletarreste të cilat më parë ishin pezulluar.
Osmani për këtë riaktivizim të fletarresteve të Serbisë thotë se është dashur të jetë e informuar Qeveria e Kosovës, e cila më pas është dashur të informojë personat e apostrofuar në ato lista, në mënyrë të parandalimit të arrestimeve të kosovarëve siç ka ndodhur edhe në rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçit.
“Nëse qeveria ka pasur informatë dhe nuk ka treguar le të sqarojë një gjë të tillë”, tha Osmani.
Osmani ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të jenë të njëzëshëm në lidhje me çështjen e ndalimit të Haradinajt.