Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Qeveria Hoti ka reaguar vonë pas deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili në një video dëgjohet duke kërcënuar serbët nëse tregojnë se ku janë varret e personave të pagjetur shqiptarë.
Osmani ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i përcjellë këto deklarata dhe veprimet e zyrtarëve serbë, transmeton Telegrafi.
“Sa i përket deklaratave të Ivica Daçiq dhe zyrtarëve tjerë, unë kam reaguar publikisht ndaj deklarimeve të tilla, duke vlerësuar se Serbia ende po udhëhiqet nga mendje gjenocidale. Sepse vetëm mendjet që mendojnë për shfarosje të tjerëve mund të japin deklarata të tilla si Daçiq”, ka thënë ajo para mediave.
Më tej, Osmani ka thënë se Qeveria e Kosovës reagon vetëm pasi të ketë reagime nga të tjerët.
“Daçiq hapur ka kërcënuar serbët që mund të tregojnë vendndodhjen e viktimave nga Kosova. Injorimi i kësaj çështje nga Qeveria e Kosovës e konsideroj si politikë reaktive të cilat vazhdimisht bazohen në ato se a po reagon dikush dhe të reagojmë edhe ne. Por, Qeveria duhet t’i përcjellë deklaratat e tyre, dhe vizitat e tyre. Reagim i vonshëm”, u shpreh ajo.
Osmani ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të negociojë me zyrtarë që japin deklarata të tilla.
“Procesi i dialogut në vend se të shërbejë për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka shërbyer në normalizim të politikanëve serbë të cilët kanë qenë pjesë e regjimit të Millosheviçit. Më e pakta që do të duhej të bënte qeveria e Kosovës është që të mos ulet në tavolinë të diskutimit me njerëz që japin deklarata të tilla”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot në një reagim publik ka thënë se deklaratat e Ivica Daçiq dhe Aleksandër Vulin janë skandaloze.
“Këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”, thuhej në reagim. /Telegrafi/