Site icon Telegrafi

Osmani: Qeveria largoi emrin tim dhe të Bulliqit nga lista e të ftuarve në ceremoninë e përurimit të rrugës “Beau Biden”(Dokument)

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se ajo dhe bashkëpartiaku i saj, njëherësh njëri ndër kundërshtuesit më të mëdhenj të demarkacionit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, janë larguar nga lista e të ftuarve në ceremoninë e përurimit të rrugës “Beau Biden”, djalit të ndjerë të zëvendës presidentit amerikan.

Osmani thotë se është kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ai që ka larguar emrat e dy deputetëve nga lista e të ftuarve, dhe nuk ishte Ambasada Amerikane ajo që ka bërë këtë veprim.

Për të dëshmuar këtë, Osmani ka publikuar në Facebook edhe ftesën e kryeministrit Mustafa, dërguar pjesëmarrësve në inaugurim.

“Kjo ftesë, dërguar një deputeti të LDK-së, dëshmon se ftesat për ceremoninë e inaugurimit të rrugës janë dërguar nga ana e Kryeministrit, e jo nga Ambasada Amerikane. Pra, emrin tim dhe te kolegut tim z.Bulliqi e ka larguar Qeveria, e jo Ambasada Amerikane”, ka shkruar Osmani.

Reagimi i Osmanit vjen pas raportimeve se emri i kësaj të fundit dhe Shpejtim Bulliqit janë larguar qëllimshëm nga lista e të ftuarve nga Ambasada Amerikane në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version