Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ish presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq dhe ish presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.
Presidentja Osmani ka falënderuar ish presidentët Mesiq dhe Topi për angazhimin e tyre të vazhdueshëm personal në mbështetje të Republikës së Kosovës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
“Gjatë takimit u theksua se raportet e ngushta ndërshtetërore në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë ndërtuar mbi themele të forta historike dhe respekt të ndërsjellë tradicional në mes të kombit shqiptar dhe atij kroat”, thuhet në njoftimin e bërë nga presidenca.
Në këtë takim, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet tri shteteve, përballë sfidave rajonale dhe globale dhe në funksion të stabilitetit dhe avancimit të agjendave Euro-Atlantike në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Osmani shprehu besimin e saj se ish-presidentët Mesiq dhe Topi do vazhdojnë të jenë avokues për Republikën e Kosovës në qarqe dhe forume ndërkombëtare ku ata marrin pjesë.
Osmani po ashtu në rrjetin social “Facebook” ka publikuar një fotografi me Mesiq dhe Topi, ku i ka quajtur miq të mëdhenj të Kosovës.
“Me dy miq të mëdhenj të Kosovës: ish-Presidentin kroat Stipe Mesić dhe ish-Presidentin shqiptar Bamir Topi”, ka shkruar Osmani sipër fotografisë së publikuar. /Telegrafi/