Telegrafi

Osmani: Prodhuesi i Kosovës në pozitë shumë të vështirë edhe të pabarabartë me prodhuesit e rajonit (Video)

Në emisionin “Përballje” është diskutuar për problemet dhe barrierat e prodhuesve të Kosovës.

Vllaznim Osmani, sekretar i përgjithshëm në Klubin e Prodhuesve të Kosovës, ka deklaruar se sektori i prodhimit në Kosovë has në sfida të përditshme prej sigurimit të lëndës së parë e deri mungesa e energjisë elektrike, gjë që shkakton humbje shumë të mëdha për produktet “Made in Kosova”.

Sipas tij, ka probleme edhe me infrastrukturë, probleme këto të përditshme që prodhuesin e Kosovës e vendosin në pozitë shumë të palakmueshme.

“Kjo e vë prodhuesin e Kosovës në pozitë shumë të vështirë edhe të pabarabartë me prodhuesit e rajonit, ku drejtpërdrejtë ndikon në konkurrueshmërinë e tregut që faktikisht është një problem i madh”, ka pohuar Osmani në emisionin “Përballje”.

Osmani ka thënë se ka përmirësim dhe është bërë një punë nga ana e institucioneve në lehtësira edhe në masa mbrojtëse por duhet më shumë që prodhuesi i Kosovës me qenë i barabartë me prodhuesin e rajonit.

“Ne kemi import të vrazhdë në Kosovë, importi na ka kapërdi në të gjitha anët. Importi e ka mbyt prodhuesin. Prodhuesi vendorë e ka vështirë me depërtu brenda…”, ka deklaruar Osmani.

Osmani tha se problem tjetër mbetet edhe eksporti jo vetëm në Shqipëri por në shumë vende tjera të rajonit si në Maqedoni, Serbi, Bosnje e Hercegovinë por atyre po u dhemb më shumë për vështirësisë e eksportit në tregun e Shqipërisë. /Telegrafi/