Site icon Telegrafi

Osmani pritet nga homologu i saj portugez: Do të forcojmë edhe më tej lidhjet mes Kosovës dhe Portugalisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Lisbonë të Portugalisë, ku është pritur nga homologu i saj Marcelo Rebelo de Sousa.

Vizita e saj përkon me 15 vjetorin e njohjes së Kosovës nga Portugalia dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Osmani në një postim në “X” ka falënderuar presidentin portugez për pritjen e ngrohtë.

“Këtë vit ndërsa vendet tona shënojnë 15 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për të forcuar më tej lidhjet dhe bashkëpunimin tonë”, ka shkruar Osmani.

Në njoftimin për media nga Zyra e Presidentes u tha se Osmani ka theksuar se e sheh Portugalinë si një shtet mik brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, ndaj shpreson në mbështetje të mëtejme për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Në këtë kontekst Presidentja ka falënderuar Portugalinë për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave dhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe ka shfaqur shpresën se Portugalia do të përkrahë edhe dhënien e statusit kandidat në BE per Republikën tonë”, thuhet në njoftim.

Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Osmani e informoi homologun De Sousa dhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator, me ç’rast, potencoi rëndësinë e sjelljes para drejtësisë në Kosovë të grupit paramilitar serb dhe adresimin e përgjegjësisë së Serbisë në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

“Presidentja poashtu potencoi se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se përmbyllja e këtij procesi përmes njohjes së ndërsjellë është e vetmja rrugë që do të sjellë paqe afatgjate në rajon. Në këtë takim, Presidentja Osmani dhe presidenti De Sousa kanë diskutuar edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të sfera të interesit të dyanshëm”, thuhet në njoftim.

Osmani ka udhëtuar dje drejt Portugalisë, ku do të jetë folëse në Web Summit i cili konsiderohet ngjarje kryesore e teknologjisë në botë. /Telegrafi/

Exit mobile version