Telegrafi

Osmani pret në takim ish-kryeministrin britanik, Tony Blair

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair tashmë ka arritur në ambientet e Presidencës së Kosovës, ku është pritur nga presidentja Vjosa Osmani.

Pas takimit pritet të ketë deklarim për media.

Ish-kryeministri britanik më pas do të ketë takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ndërkaq me fillim nga ora 10:25 do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit në një seancë solemne.

Presidentja Osmani në një postim në Facebook ka shkruar “Mirë se vjen në Kosovën e lirisë, shpresës, demokracisë, Kryeministër Tony Blair! 25 vjet më vonë, trashëgimia juaj vazhdon. Do të mbeteni gjithmonë kampion i popullit të Kosovës”.

Blair do të nderohet sot edhe me çmimin e Çelësit të Qytetit nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Kjo vizitë e Tony Blair ka një rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi ai ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të vendit gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 dhe vazhdon të jetë një figurë e rëndësishme në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. /Telegrafi/