Site icon Telegrafi

Osmani: Presim nga qeveria propozimet për funksionalizimin e bordeve të institucioneve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se presin nga Qeveria propozimet për funksionalizimin e bordeve të institucioneve.

Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se këto propozime do të trajtohen në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“I kemi trajtuar edhe disa çështje teknike që kanë të bëjnë me funksionalizimin e bordeve të disa institucioneve të pavarura. Natyrisht si Kuvend, do t’i drejtojmë kërkesën Qeverisë që të vijnë më propozimet e tyre të reja, që ato propozime të trajtohen në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi nga ana e Kuvendit”, tha Osmani, përcjell Telegrafi.

Në marrëveshjen për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e ka siguruar Telegrafi, në pjesën për zhvillim ekonomik thuhet se, partnerët do të vendosin indikatorët e performancës për secilën ndërmarrje publike.

Lexo po ashtu Programi i qeverisë për ekonomi - shuarja e AKP-së dhe depolitizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike (Dokument)

“Në fillim të mandatit, Qeveria dhe Kuvendi do të rishikojnë performancën e ndërmarrjeve publike dhe do të marrin vendimet e nevojshme për ato ndërmarrje që kanë pasur performancë jo të kënaqshme dhe negative. Ky vlerësim do të bazohet në raportet vjetore të ndërmarrjeve publike, në plane strategjike të ndërmarrjeve publike nga vitet e mëparshme dhe në raportet e Auditorit të Përgjithshëm”, thuhet në marrëveshje.

Në marrëveshjen LVV-LDK që është nënshkruar gjatë ditës së diele, të dy këto subjekte do të udhëheqin me nga gjashtë ministri, nga të cilët katër prej tyre do të jenë për sektorët e ekonomisë. /Telegrafi/

Exit mobile version