Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letra urimi nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, Roberto Fico, nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Oshima Tadamori, dhe nga presidentja e grupit ndërparlamentar për miqësi Francë-Ballkani Perëndimor në Senatin Francez, Marta de Cidrac.
Në letrën e tij dërguar kryetares Osmani, presidenti Roberto Fico, ka thënë që shpreson që marrëdhëniet mes parlamentit të Italisë dhe Kosovës do të avancohen edhe më tej. Njëkohësisht ai e ka ftuar kryetaren Osmani për një vizitë në Itali, transmeton Telegrafi.
Kryetari Oshima Tadamori, në letrën dërguar kryetares Osmani, ka thënë se pret që bashkëpunimin e mirë mes Kosovës dhe Japonisë ta avancojë edhe më tej.
Ndërkaq, presidentja Marta de Cidrac, e ka uruar kryetaren Osmani në emër të të gjithë kolegëve të saj senatorë dhe në kapacitetin e saj si presidente e grupit ndërparlamentar të miqësisë Francë-Ballkan Perëndimor në Senatin Francez.
Ajo ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë për të kontribuar në forcimin e marrëdhënieve midis Francës dhe Kosovës. /Telegrafi/