Telegrafi

Osmani pjesë e festimit të Ditës Vyshyvanka

Presidentja Vjosa Osmani është bërë pjesë e Ditës Vyshyvanka (Dita e Këmishës së Qëndisur), një festë që synon të ruajë traditat origjinale popullore të krijimit dhe veshjes së rrobave ukrainase të qëndisura etnike të quajtura vyshyvanka.

“Ne qëndrojmë me miqtë tanë ukrainas ndërsa shënojmë këtë traditë të bukur që na kujton guximin, lirinë, besimin dhe forcën”, shkroi Osmani në Twitter.

Presidentja u bë pjesë e këtij festimi me ftesë të kryeministres lituaneze Ingrida Simonyt, që i kishte dhuruar veshjen tradicionale presidentes së Kosovës gjatë vizitës që Osmani pati ditë më parë në këtë shtet.

Dita e Vyshyvanka është kremtuar edhe nga liderë të tjerë shtetërorë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Dita e Vyshyvanka festohet çdo të enjte të tretë të majit.

Vyshyvanka, është emri i një këmishë tradicionale të qëndisur dhe po ashtu njihet si një element i kostumit kombëtar të Ukrainës, dhe si shprehje e patriotizmit. /Telegrafi/