Site icon Telegrafi

Osmani përkujton Luan Haradinajn në 24 vjetorin e rënies: Përkulemi para heronjve të vendit

Foto: Ridvan Slivova

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në 24 vjetorin e rënies së heroit Luan Haradinaj tha se emri i tij qëndron në simbiozë perfekte me profilin e luftëtarit, i cili atdhedashurinë e ktheu në art luftarak, duke u shndërruar në njërën ndër ikonat e luftës së UÇK-së.

Osmani në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Familja Haradinaj, e cila dha kontribut të jashtëzakonshëm në luftën tonë për çlirim, sikurse edhe të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të ndihen krenar me veprën e Luanit.

Lexoni të plotë postimin:

“Emri i heroit Luan Haradinaj qëndron në simbiozë perfekte me profilin e luftëtarit, i cili atdhedashurinë e ktheu në art luftarak, duke u shndërruar në njërën ndër ikonat e luftës së UÇK-së.

Familja Haradinaj, e cila dha kontribut të jashtëzakonshëm në luftën tonë për çlirim, sikurse edhe të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të ndihen krenar me veprën e Luanit.

Ai ra në kufirin ndërmjet Kosovës- shtetit për të cilin kapi pushkën dhe shtetit të Shqipërisë nga u frymëzua në luftën për çlirim.

24-vjet më parë në vendin e quajtur ‘Qafa e Mullarit’ në Kushnin të Hasit, bashkë me 178 bashkëluftëtarë ranë në pritën e ushtrisë jugosllave. Luani ra heroikisht për t`u shndërruar në kambanë lirie!

Sot, përkulemi me respekt para tij dhe heronjve të tjerë, të cilët bën të mundshme lirinë tonë, sikurse edhe ndërtimin e shtetit!

Qoftë i përhershëm kujtimi për Luanin dhe të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë!”. /Telegrafi/

Exit mobile version