Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen, të afërmit, kolegët dhe Shoqatën e Personave me Aftësi të Kufizuara për ndarjen nga jeta të Agim Vatovcit.
“Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të avokuesit për të drejtat e njeriut, Agim Vatovci, njëherësh kryetar i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara,” është shprehur Osmani.
Osmani është shprehur se përkushtimi dhe pasioni i tij për avokimin, fuqizimin dhe mbështetjen e personave me nevoja të veçanta, do të mbetet shembull për brezat.
“Kontributi i tij për avokimin, fuqizimin dhe mbështetjen e personave me nevoja të veçanta, do të mbetet shembull për brezat. Përkushtimi dhe pasioni i tij i palëkundur për këtë kauzë, luajti rol të jashtëzakonshëm në transformimin e jetës për personat e kësaj kategorie,” ka thënë Osmani.
“Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Agim Vatovcin!”, ka shkruar tutje Presidentja./Telegrafi/