Kryetarja e degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla, vazhdon të konsiderohet nga subjekti i saj si person “non grata”, pasi asaj sot iu ndalua pjesëmarrja në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Për shkak të këtij vendimi, mbledhjen e ka lëshuar deputetja Vjosa Osmani.
Osmani, në një prononcim për Telegrafin, ka theksuar se arsyeja e vetme e këtij gjesti – nga ana e LDK-së – është frika nga fjala e lire.
“Nuk ka arsye, përpos frikës nga fjala e lirë dhe fuqia e argumenteve të znj. Gërvalla. Sipas statutit, të gjithë kryetarët e degëve kanë të drejtë të marrin pjesë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se ndalimi i saj është akt i turpshëm.
“Znj. Gërvalla është kryetare e degës në Gjermani, prandaj ndalimi i saj dhe sjellja e dhunshme janë akte të turpshme”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/