Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës, në 21 vjetorin e ekzekutimit të 376 burrave të këtij fshati nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave.
“Sikurse çdo vit, edhe në këtë 21 vjetor Lëndina e Pikëllimit në Mejë është vendi ku duhet të përkulemi, të ndjejmë dhimbje e të mos rreshtim së kërkuari drejtësinë. Sikurse çdo vit, do t`i kujtojmë 376 burra të këtij fshati të moshës 15 deri në 75 vjeç, të cilët u ndanë nga familjet e tyre dhe u ekzekutuan nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave. Ekzekutimi brutal i civilëve tregoi se synim i forcave policore serbe dhe ushtrisë jugosllave nëpërmjet operacionit të quajtur “Reka”, ishte spastrimi etnik dhe gjenocidi”, ka thënë kryeparlamentarja Osmani.
Sipas saj, më shumë se dy dekada më pas, përveç kujtimit për të vrarët, Srebrenica e Kosovës jeton me ankthin e 28 të pagjeturve.
“Në Kompleksin Memorial “27 Prilli” në Mejë, ende varret e tyre janë të hapura, teksa ne nuk e kemi përfunduar punën që trupat e tyre të prehen në vendin e lindjes e familjet ta kenë një adresë ku përfalen për të afërmit e tyre”, është shprehur Osmani.
Sipas saj, në ditën kombëtare për të pagjeturit, secili duhet ta kthejë kokën nga Meja dhe të reflektojë me bindjen se borxhi ndaj këtyre të rënëve ende mbetet peng, derisa kryesit e këtij akti makabër nuk vihen para drejtësisë.
“Për Mejën dhe secilin vend të Kosovës ku u kryen krime nuk ka dhe nuk duhet të ketë amnisti! Vetëm drejtësia mund ta përmbyllë këtë kapitull historie! Të rënëve lavdi, e familjeve të të pagjeturve kurajo, ngase fati i familjarëve të tyre do të jetë preokupim i vazhdueshëm deri në zbardhjen e fatit të tyre”, ka thënë Osmani. /Telegrafi/