Telegrafi

Osmani për Asociacionin: Jemi me fat që SHBA nuk e përkrah një pushtet të ndërmjetëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka të njëjtin qëndrim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sikurse që ka pasur në vitin 2013, duke shtuar se është fat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk përkrahin një pushtet të ndërmjetëm.

Osmani ka thënë asociacioni i komunave serbe ka qenë ndër dokumentet më të dëmshme për Kosovën, transmeton Telegrafi.

“Kam të njëjtin qëndrim që kam pasur në vitin 2013, kur kjo temë ka ardhur për herë të parë në Kuvendin e Kosovës, ju e dini unë kam votuar kundër. Asociacioni i komunave serbe ka qenë një ndër dokumentet më të dëmshme sa i përket sovranitetit dhe funksionalitetit të brendshëm. Për fat të keq nuk është folur shumë për dëmin, por për fatin e mirë Gjykata Kushtetuese foli dhe është ndalur dëmi. Mirëpo ende ka insistime që të implementohet ashtu siç është nënshkruar, por ne jemi më fat që SHBA ka bërë të qartë së nuk do të përkrahin një pushtet të ndërmjetëm. E as kompetenca ekzekutive, kjo është ndër zhvillimet më të rëndësishme sa i përket asociacionit”, ka deklaruar presidentja Osmani në RTK.

Osmani ka shtuar tutje se “shteti nuk duhet të bëhet i cenueshëm”.

Presidentja ka potencuar se dialogu Kosovë – Serbi duhet të bëhet për njohje reciproke. /Telegrafi/