Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se PDK-ja e ka në ADN prishjen e marrëveshjeve.
Osmani këshilloi partitë tjera që mos të lidhin marrëveshje me PDK-në, pasi siç tha ajo “PDK ua ngulë thikën pas shpine”.
Deputetja e LDK-së tha se ky mocion është iniciuar nga PDK-ja, e jo nga partitë opozitare, ndërsa tha se është demagogji absurde që PDK të flas për dështime kur ka pas përgjegjësi që dhjetë vjet.
“Shumë më mirë të thuhet se ky mocion po përkrahet për çështje politike sepse PDK-ja ADN nuk mund të ndërrojë. Shihni kush po flet. Dy vjet izolim shtesë u ka shkaktuar skandali i pasaportave. A ka nevojë që të flas për ata që iknin nga burgu, nga spitalet. PDK ka insistuar që demarkacioni të vijë në Kuvend për të dështuar dhe rrjedhimisht për të penguar liberalizimin e vizave”, tha Osmani.
Me këtë rast deputetja e LDK-së u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merren me akuzat e kryeministrit Mustafa e në veçanti për rastin ‘AXOS’.
Në fund ajo u është drejtuar përkrahësve të LDK-së duke bërë thirrje kolegëve të saj që të kthehen te rrënjët e saj.
Ndërsa tha se asnjë proces zgjedhor nuk mund ta shpëtojë dikë nga drejtësia, e sidomos nga drejtësia ndërkombëtare.