Telegrafi

Osmani pas takimit me Pendarovskin: Rajonit i duhet paqe dhe stabilitet, të mos lejohet ndikimi i Rusisë nëpërmjet Serbisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se kjo vizitë hap kapituj të rinj të bashkëpunimit dhe konfirmon marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve.

Presidentja e vendit tha se Kosova dhe rajoni ende ballafaqohet me rreziqe të mëdha në fushën e sigurisë për shkak të tendencave destabilizuese të Rusisë nëpërmjet Serbisë.

“Si Kosovë jemi të përkushtuar të refuzojmë ndikimet e tilla dashakeqe dhe të punojmë me të gjitha partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor dhe me partnerët tjerë në mënyrë që të parandalohen ndikime të tilla destabilizuese”.

“Rajonit i duhet ecje në hapa konkret drejt integrimit evropian, por të njëjtën kohë i duhet paqe dhe stabilitet afatgjatë, që në asnjë mënyrë nuk mund të arrihet nëse depërton ndikimi dashakeq i Rusisë ndërmjet trampolinës së vet, Serbisë”, tha Osmani, raporton Telegrafi.

Ajo ka falënderuar presidentin e Maqedonisë për rolin mbështetës të tij dhe të Maqedonisë ndaj Kosovës.

“Ekziston vullneti i madh i Kosovës që ta rrisim koordinimin institucional e ndërmjet dy shteteve tona”, tha ajo.

Ajo tha se kanë nënshkruar mbi 40 marrëveshje ndërkombëtare, disa memorandume ndërministrore dhe nisma tjera për marrëveshje të reja që janë në proces të finalizimit.

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë urë e fortë lidhëse ndërmjet dy vendeve tona…”, tha ajo. /Telegrafi/