Kandidatja për deputete e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se nuk ka shpërndarë asnjë poster për të bërë fushatë për zgjedhjet e 11 qershorit.
Osmani ka bërë po ashtu të ditur se as në këto zgjedhje, e as ato të 2014 nuk ka vendosur asnjë poster për bërë fushatë.
Kandidatja e LDK-së për deputete në një postim në rrjetin social Facebook bën të ditur se kushdo që ka vënë poster pa autorizimin e saj është duke shkelur ligjin, për çka do të përgjigjet.
Ky është postimi i plotë i saj në Facebook:
“Për informatën e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe organeve që po merren me organizimin e zgjedhjeve:
Vjosa Osmani nuk ka shpërndarë nëpër Kosovë ASNJË poster të vetëm as në këto zgjedhje dhe as në zgjedhjet e kaluara. Kushdo që mund të ketë bërë një gjë të tillë pa u autorizuar nga unë e pa lejen time, është duke shkelur ligjin, dhe për këtë shkelje do të përgjigjet. Tani do të informojë policinë dhe KQZ-në për këtë shkelje dhe keqpërdorim të identitetit dhe emrit tim për interesa të ulëta që bien ndesh me rregullat e fushatës zgjedhore”. /Telegrafi/