Site icon Telegrafi

Osmani: Njohja reciproke, qëllimi i vetëm për të cilin Kosova merr pjesë në dialogun me Serbinë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova merr pjesë në dialogun me Serbinë, me qëllimin e vetëm njohjen reciproke.

Osmani ka theksuar se Kosova nuk është shtet i cili destabilizon vendet tjera në rajon, përkundrazi, është Serbia ajo që duhet të bëhet fqinj i mirë.

“Është koha që Serbia të vendos se çfarë dëshiron. Kosova gjithmonë ka treguar se është palë konstruktive në dialog. Ne gjithmonë kemi zgajtur dorën e bashkëpunimit në këtë proces. Kosova është fqinjë i mirë, është koha që Serbia të sillet si fqinjë i mirë jo vetëm për ne si shtet, por edhe për Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjën…”, u shpreh Osmani gjatë një bashkëbisedimi virtual të organizuar nga Atlantic Council, shkruan Telegrafi.

Ajo shtoi se Kosova në procesin e dialogut që pritet të nis në këtë muaj shkon e përgatitur mirë.

“Ne do të takohemi së shpejti, këtë muaj pra në qershor. Kosova shkon në këtë proces e përgatitur mirë dhe me qëllime të qarta për të kontribuar në marrëveshje përfundimtare cilësore. Kosova është e përgatitur që të shkojë në bisedime për të arritur një marrëveshje reciproke që ka në qendër të saj njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se e gjitha varet sesi do të sillet Serbia në këtë proces dhe se çfarë mendon për anëtarësimin e saj në BE derisa bashkëpunon ushtarakisht edhe ekonomikisht me Rusinë. /Telegrafi/

Exit mobile version