Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar sot telegrame ngushëllimi familjeve Mustafaj, Hamzaj e Gjokaj, anëtarë të të cilëve janë vrarë një ditë më parë në një sulm të armatosur në Gllogjan.
“Lajmin për vrasjen e më të dashurve tuaj, Gentianës, Ledionit dhe Ganiut, e kam pranuar me dhimbje të madhe. Prandaj, më lejoni që si qytetare e këtij vendi, si nënë dhe si Presidente e Republikës së Kosovës, ta ndaj me ju dhimbjen e thellë për vdekjen e parakohshme të tyre”, thuhet në telegramet dërguar familjeve, përcjell Telegrafi.
Sipas Presidentes, vrasja e Gentiana Mustafajt, Ledion Hamzajt dhe Gani Gjokajt është akt mizor dhe ngjarje e trishtë, e cila i ka prekur zemrat e çdo qytetari të vendit.
Presidentja Osmani ka uruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten, teksa ka ftuar organet e rendit që sa më shpejtë të jetë e mundur, autorët e krimit t`i sjellin para drejtësisë. /Telegrafi/