Telegrafi

Osmani: Nga viti 2019 rastet e dhunës ndaj grave janë në rritje, kjo është një këmbanë alarmi për shtetin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se dhuna në baza gjinore në vend është një këmbanë alarmi për shtetin pasi që nga viti 2019 e tutje rastet e dhunës ndaj grave janë në rritje të vazhdueshme.

Osmani gjatë takimit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut ka thënë se fundi i këtij viti nuk ishte i mirë, pas rastit të vrasjes së Liridona Ademaj.

“Tema në takimin e fundit të këtij këshilli ka qenë ‘dhuna mbi baza gjinore’, e cila për fat të keq edhe në fund të vitit të kaluar kishte përfunduar me vrasje të grave. Njësoj ka ndodhur edhe këtë vit ku humbëm jetë të çmuara. Dhe kjo do të thotë që dhuna mbi baza gjinore vazhdon të jetë një këmbanë alarmuese për të gjithë ne dhe për institucionet dhe shoqërinë e Kosovës.

Kishim rastin e Liridona Ademaj, dhe raste tjera…Për fat të keq ka rritje të dhunës në këtë aspekt. Është alarmuese pasi nga viti 2019 e tutje kemi pasur rritje të rasteve të dhunës”, tha ajo.

Tutje Osmani u shpreh se sipas raportit të Policisë së Kosovës nga muaji janar i këtij viti e deri në tetor mbi 80 për qind e viktimave të dhunës kanë qenë gra.

Përgjegjësia mbi këtë siç u shpreh e para e shtetit bie mbi kryerësin e veprës.

“Por duhet të sigurohemi që do të fuqizohen të gjithë mekanizmat përgjegjës. Duhet të sigurojmë mbrojtje, por mbi të gjitha parandalim e cila është shtylla e parë e identifikuar në masat që duhet të ndërmerren gjatë takimit tonë të fundit”.

Tutje Osmani theksoi se shumica e vrasjeve të grave që kanë ndodhur në Kosovë nga bashkëshortët e tyre kanë mundur të parandalohen nëse do të kishte veprime të menjëhershme të institucioneve përgjegjëse për parandalimin e tyre.

“Këtë na e dëshmojnë përgjatë viteve shumë raste siç ishte rasti i Diana Kastratit, Sabile Mavrovçanit, Hamide Magashi, e disa raste të tjera”, tha Osmani. /Telegrafi/