Site icon Telegrafi

Osmani në takim me Cameronin: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, hap i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin David Cameron.

Siç njofton Presidenca, në takim u diskutua për raportet Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, përkushtimin për thellim të bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe situatën e sigurisë në rajon e më gjerë.

Lexo po ashtu Cameron në Prishtinë: Jemi këtu për t’ju përkrahur, ndihmuar dhe promovuar

“Presidentja Osmani falënderoi sekretarin Cameron për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen diplomatike në procesin e integrimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën për media.

Osmani bëhet e ditur se ka ritheksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.

Ngjashëm, ajo ka potencuar rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut.

“Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me ç’rast Presidentja Osmani e informoi sekretarin Cameron për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator”.

Më tej bëhet e ditur se presidentja ka falënderuar sekretarin Cameron për shtimin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e kufirit me Serbinë.

“Në këtë drejtim, ajo foli edhe për grupet terroriste, të mbështetura nga Beogradi, të cilat vazhdojnë të krijojnë frikë dhe intimidim brenda komunitetit serb. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është shembull në rajon sa i përket të drejtave të komunitetit joshumicë, ndërsa riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës për ta fuqizuar çdo qytetar, pa dallim”. /Telegrafi/

Exit mobile version