Telegrafi

Osmani në qendrën e vaksinimit: Po punojmë që shumë shpejt të arrij kontingjenti tjetër i vaksinave antiCOVID-19

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar sot Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori”.

Osmani ka thënë se ky është një vend ku jepet shpresa që edhe pandemisë do ti vije fundi.

“Në këtë vend ku jepet mesazh i shpresës se edhe pandemisë do ti vije fundi. Jam e lumtur që ka filluar procesi i vaksinimit të qytetarëve tanë  në veçanti të personelit shëndetësor dhe atyre mbi 80 vjeç. Dua ti falënderoj të gjithë nga stafi shëndetësorë që po e organizojnë këtë proces në këtë mënyrë shumë të mirë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se është shumë e rëndësishme që përkundër faktit që ka filluar ky proces, ne të vazhdojmë ti respektojmë të gjitha masat deri në momentin ku të gjithë qytetarët tanë të kenë mundësi të vaksinohen.

“Dua të inkurajoj të gjithë që të kryejnë procesin e vaksinimit. Për fat të keq numri i vdekje dhe i rasteve të infektimit është i madh, vala e tretë ka përfshirë gjithë botën”, u shpreh presidentja Osmani.

Osmani shtoi se janë duke punuar që së shpejti të vijë edhe kontingjenti tjetër i vaksinave antiCOVID-19.

“Jemi duke punuar bashkë me qeverinë dhe MSH që të vijën edhe kontingjentet e ardhshme të vaksinave antiCOVID shumë shpejt”, tha Osmani. /Telegrafi/