Site icon Telegrafi

Osmani në Paris: S’mund të miqësohesh me dikë që ka tendenca hegjemonie

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të premten se nuk mund të kesh miqësi me një vend që ka tendenca hegjemonie dhe mohon ekzistencën e fqinjëve.

Në Forumin e Paqes në Paris, derisa foli për luftën në Ukrainë, Osmani tha se nuk duhet barazuar palët kur dihet qartë kush është agresori dhe kush viktima. Ajo shtoi se fuqia më e madhe e Kosovës qëndron të partneriteti.

Presidentja Osmani derisa foli për luftën në Ukrainë, përmendi edhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë 23 vjet më parë.

Ajo tha se për shkak të partneritetit dhe aleancave është sjell paqe dhe stabilitet për Ballkanin.

“Mund të mësojmë nga rasti i Kosovës, nga shembulli i Kosovës që fuqia jonë më e madhe qëndron te partneriteti, multilaterizmi funksionon por vetëm nëse bazohet në parime, në rregulla, e me më rëndësi nëse bazohet në vlera. Duhet të bëhemi bashkë, të bëhemi bashkë për të mbrojtur vlerat, parimet që kanë qeniet njerëzore dhe humanitetin duke marrë parasysh, vlerat njerëzore ku ajo për të cilën kujdesemi është më së pari mbrojtja e civilëve, ndalimin e shkatërrimit, këto janë vlerat që na shtynë përpara”.

“E njëjta gjë në vitet e ’90-a kur lufta e Kosovës ishte ndalur nga NATO, kur NATO kishte ndalur gjenocidin, ishte e suksesshme sepse partneriteti ynë, partneriteti i vendeve demokratike në botë ishte i bazuar mbi vlerat, vlerat e mbrojtjes së viktimës nga agresori”, deklaroi ajo.

Në fjalimin e saj Osmani theksoi se në rastin e luftës në Ukrainë, njësoj si në luftërat në ish Jugosllavi, dihet kush është agresori dhe kush viktima.

“Mësimi që duhet të nxjerrim është që nuk duhet të biem në kurthin e kësaj lojës-të dyja palët janë të njëjta. Sepse dëgjojmë shumë deklarata se si të dyja palët e provokojnë njëra tjetrën ose të dyja palët kanë faj për një luftë që ka qenë absolutisht e paprovokuar ndaj Ukrainës”.

“Asnjëherë nuk do të duhej të përdorej kjo qasje e të dy palëve kur ka agresor të qartë e viktimë të qartë, siç kemi parë në luftërat e ish Jugosllavisë dhe siç e shohim sot edhe në luftën ruse ndaj Ukrainës”, shtoi tutje ajo.

Sipas saj, ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm. “Gjëja e tretë që kemi mësuar është se ajo që është e detyrueshme, obligative, parakusht për paqen afatgjatë është ballafaqimi me të kaluarën dhe pastaj drejtësia. Shumë njerëz flasin për përvojën midis Francës dhe Gjermanisë si mësim që duhet ta marrim, dhe pajtohem, por Gjermania ka bërë shumë në këtë drejtim, ka paguar një çmim të lartë për krimet që janë kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe ende është duke paguar, asnjëherë Gjermania nuk i ka mohuar krimet e veta”. /Telegrafi/

Exit mobile version