Në margjina të Konferencës për Siguri në Mynih, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar takimet bilaterale me politikanë e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Osmani theksoi se Rusia nëpërmjet Serbisë synon destabilizimin e rajonit.
“Përkushtimin tonë në procesin e integrimit në struktura euro-atlantike, përtej aspektit deklarativ, po e dëshmojmë me veprime konkrete, prandaj është imperative që e ardhmja e vendit tonë në këto struktura të garantohet duke pasur parasysh ndikimin çdo ditë e më të madh të Rusisë, nëpërmjet Serbisë që ka për qëllim destabilizimin e rajonit”, tha Osmani.
Sipas një njoftimi Osmani u takua me senatoren amerikane Amy Klobuchar, me të cilën u diksutua bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.
“Presidentja Osmani rikonfirmoi qëndrimin se SHBA-të vazhdojnë të mbesin aleati kryesor dhe partneri strategjik i Republikës së Kosovës. Presidentja po ashtu ka theksuar se përkrahja amerikane është jetike në përmbushjen e objektivave të politikës së jashtme, sidomos në procesin e anëtarësimit në NATO dhe OKB”.
Presidentja Osmani në takime të ndara ka takuar edhe sekretarin gjeneral te INTERPOL-it, Jurgen Stock dhe drejtoreshën e EUROPOL-it, Katherine de Bolle.
“Presidentja ka theksuar se Republika e Kosovës ka avancuar përpjekjet institucionale për të siguruar sundim të ligjit dhe shtet të së drejtës. Ajo deklaroi se bashkëpunimi policor është parakusht për të luftuar krimin dhe të gjitha format e tij, e sidomos krimin trans-nacional e rrjetet e organizuara. Sipas Presidentes institucionet e Republikës së Kosovës në vazhdimësi kanë treguar nivel të lartë të bashkëpunimit me të gjitha shtetet për të siguruar sundimin e ligjit, dhe se sundimi i ligjit mbetet prioritet i institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim
Sipas Presidencës gjatë qëndrimit në Mynih, Osmani ka takuar David Harris, drejtor ekzekutiv i Komunitetit hebrejo-amerikan, me të cilin ka diskutuar për raportet me SHBA-të dhe Izraelin, dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të thelluar edhe më tej raportet me të dyja shtetet.
Në vazhdën e takimeve, Presidentja ka takuar kryesuesin e Konferencës për Siguri, Wolfgang Ischinger.
Në këtë takim, Presidentja ka falënderuar Ischinger për lidershipin e tij në udhëheqjen e Konferencës së Sigurisë për vite me radhë, meqë kjo ishte edhe konferenca e fundit nën udhëheqjen e tij./Telegrafi/