Site icon Telegrafi

Osmani në Lisbonë: Rusia synon të krijojë një perceptim ndërkombëtar të dështimit amerikan në rajon

Në një fjalim të mbajtur në samitin teknologjik Web Summit në Lisbonë, presidentja Vjosa Osmani ka adresuar sfidat e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Osmani ka theksuar që Rusia synon të krijojë një perceptim ndërkombëtar të dështimit amerikan në rajon, duke u referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë deklaratave të liderëve rusë.

Presidentja ka theksuar vendosmërinë e Kosovës për të ruajtur vlerat demokratike dhe për të mos u dorëzuar para presioneve.

“Rusia po përpiqet të bindë botën se SHBA dhe BE po dështojnë në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë në Ballkan, por ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë,” deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se Kosova ka treguar bashkim dhe qëndresë në mbrojtjen e lirisë, demokracisë dhe sovranitetit të saj, si në vitin 1999, ashtu edhe sot.

Osmani ka përmendur gjithashtu përkushtimin e Kosovës ndaj të ardhmes së saj duke theksuar historinë e kombit që ka ruajtur gjuhën, identitetin dhe vendosmërinë për të luftuar për liri dhe pavarësi pavarësisht sfidave historike.

“Ndërsa kemi përballur okupime dhe pushtime që kanë zgjatur shekuj, kurrë nuk kemi humbur as gjuhën dhe as identitetin tonë. Po aq e rëndësishme, kemi ruajtur vendosmërinë tonë për të luftuar për lirinë dhe pavarësinë, dhe ne nuk do të tërhiqemi,” theksoi Osmani në fjalën e saj.

Exit mobile version