Telegrafi

Osmani në Iowa: SHBA-ja partneri kryesor strategjik në fushën e mbrojtjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zhvillon një vizitë zyrtare në shtetin e Iowa-s në SHBA.

Ajo qëndroi në Gardën Kombëtare të Iowa-s, ku u prit nga komandanti, gjeneralmajor Stephen Osborn.

E shoqëruar nga Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, presidentja Osmani u njoftua nga afër me ambientet e ushtarakëve të Iowa-s, ku një kënd i veçantë ishte kushtuar edhe ushtarakëve të Kosovës që trajnohen në Iowa, raporton KosovaPress.

E para e shtetit e bëri edhe një turne me helikopter ushtarak rreth terenit ku trajnohen edhe ushtarët e FSK-se, mjetet ushtarake si dhe qendrën mjekësore në “Camp Dogne”.

Osmani gjeneralmajorit Stephen Osborn i shprehi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që ka dhënë dhe vazhdon të jap Garda Kombëtare e Iowa-s për ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së që nga viti 2011.

Gjithashtu presidentja Osmani theksoi se SHBA janë garantues kryesor i Republikës së Kosovës dhe kontribuesi më i madh për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.

Përkitazi me këtë, presidentja Osmani shtoi se SHBA është partneri kryesor strategjik në fushën e mbrojtjes dhe kanë një rol primar në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së sidomos në kuadër të partneritetit ndërshtetëror me Shtetin e Iowa-s dhe Garden Kombëtare të Iowa-s në veçanti.

Ajo nënvizoi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë ditës së sotme Osmani do të pritet me ceremoni zyrtare nga guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds.