Site icon Telegrafi

Osmani në FSK: Mund të kemi një ushtri të vogël në numra, por me një zemër dhe trimëri të madhe që t’i shërbej atdheut

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka vizituar sot Forcën e Sigurisë së Kosovës, me ç‘rast ka mbajtur edhe fjalimin e fundvitit.

Në fjalën e saj, Osmani tha se pjesëtarët e FSK-së pavarësisht sfidës me pandeminë ishin të gatshëm që t’i dilnin në ndihmë qytetarëve e institucioneve të vendit.

“U jam thellësisht mirënjohëse për këtë gatishmëri tuajën. Gatishmërinë tuaj për t’i shërbyer vendit e paqes e keni shpreh vazhdimisht, e kjo u dëshmua edhe me ndihmën që i dhatë Shqipërisë pas tërmetit. Sot jam e lumtur që kam mundësinë të ndaj bashkë me ju rezultatet e arritura gjatë këtij viti”, tha Osmani, shkruan Telegrafi.

Osmani shtoi se FSK vazhdon të ketë besueshmërinë më të lartë qytetare sepse ka treguar profesionalizëm në punën e saj.

U.d e presidentes theksoi se Ushtria e Kosovës po shndërrohet me hapa të sigurt në ushtri moderne.

“Gatishmërinë që e ka forca jonë është që të bëhet pjesë e NATO-s dhe ky është orientimi ynë strategjik. Sot forcat tona po ecin drejt një të ardhme të sigurt, ka ardhur koha që ushtarakët tanë të japin kontributin e tyre në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare”, theksoi Osmani.

Osmani shtoi se: “Mund të kemi një ushtri të vogël në numra por ka një zemër dhe trimëri të madhe, e gatshme që t’i shërbej atdheut në mbrojtje të interesave shtetërore brenda dhe jashtë vendit”.

Ajo shtoi se sot kujtojnë me krenari rolin e UÇK-së e në veçanti të Adem Jasharit dhe familjes Jashari.

“Le të jetë trimëria e tyre dhe sakrifica e tyre e skajshme për atdheun referencë e vazhdueshme dhe e përhershme për secilin prej jush”, tha Osmani./Telegrafi/

Exit mobile version