Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet për vizitë në Berlin ku mori pjesë në “The World Forum”.
Gjatë fjalimit të saj Osmani përmendi historinë e Kosovës si një shtet dhe popull që ka kaluar përmes luftës dhe sakrificave për shekuj me radhë, me qëllim arritjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë që qytetarët e Kosovës gëzojnë sot.
“Sot në Berlin, në “The World Forum”, fola për Kosovën si shembull i një shteti dhe një populli që ka luftuar e sakrifikuar për shekuj me radhë, për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë që e gëzojmë sot”, ka shkruar Osmani.
Osmani theksoi se për Kosovën, demokracia nuk është thjesht një sistem politik, por është simbol i lirisë, paqes dhe sigurisë.
Ajo e përshkroi vendin si një shembull të dukshëm të një demokracie që po avancon vazhdimisht dhe që mbështetet në vlera themelore, si besimi në lirinë dhe të drejtat e njeriut.
” Për Kosovën, demokracia nuk është vetëm sistemi më i mirë i vlerave që njeh njerëzimi, por është edhe vetë sinonimi i lirisë, paqes dhe sigurisë. Kosova sot është sinonim i demokracisë që po avancon vazhdimisht, sepse besimi në vlerat demokratike është themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë”, ka deklaruar Osmani. /Telegrafi/