Site icon Telegrafi

​Osmani: Forumi në Antalia, një mundësi për të diskutuar mbi rëndësinë e aleancave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë Forumit Diplomatik të Antalisë është takuar me personalitete të ndryshme botërore.

Osmani po ashtu ka pasur takime edhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ajo përmes një shënimi në Facebook thotë se edicioni i dytë i Forumit Diplomatik të Antalisë ishte një mundësi e shkëlqyer për të takuar dhe diskutuar me homologë e liderë nga mbarë bota për rëndësinë e aleancave dhe bashkërenditjes së qëndrimeve e veprimeve karshi zhvillimeve të fundit në Evropë dhe jo vetëm.

“Në kuadër të ADF2022 u takuam me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, anëtarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Sefik Dzaferoviq dhe kryeministrin e nominuar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilët diskutova për zhvillimet në rajonin tonë, rëndësinë e përshpejtimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian si dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal për tejkalimin e sfidave dhe barrierave me të cilat përballemi”, ka shkruar Osmani duke falënderuar Erdoganin dhe Çavushoglun për mikpritjen e delegacionit kosovar.

Në mesin e takimeve, Osmani njoftoi se ka biseduar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Pata po ashtu rastin të shkëmbej vlerësime rreth zhvillimeve të fundit edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg”, shkroi presidentja.

Në të gjitha takimet me shtetet njohëse dhe jo njohëse, Osmani thotë se kanë treguar qëndrimin e Republikës së Kosovës në raport me zhvillimet rajonale dhe globale.

“ADF është shndërruar në platformë të përmasave globale për diskutime përmbajtësore e strategjike, e të cilat u realizuan në një moment tejet të rëndësishëm”, deklaroi tutje Osmani./Telegrafi/

Exit mobile version