Telegrafi

Osmani në 25 vjetorin e Anton Çettës: Do të propozojë që shtatorja e tij të vendoset në oborrin e Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar atdhetarin Anton Çetta në 25 vjetorin e vdekjes së tij.

Osmani ka shtuar se Çetta e bëri të pamundshmen në një kohë të pamundshme, kur mblodhi rreth vetes shqiptarët për t`i pajtuar, për ta mbyllur plagën shekullore.

Ajo ka thënë se do të propozojë që shtatorja e tij të vendoset në oborrin e Kuvendit.

“Ndaj sot, dy dekada më pas një shtatore për Plakun e urtë do t`i bënte nder jo vetëm kryeqytetit, por gjithë Kosovës! Si Kryetare e Kuvendit, do t’i propozojë Kryesisë së institucionit më të lartë përfaqësues e legjislativ, që shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e Kuvendit, pra në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit, si figurë frymëzimi e pajtimi”, ka shkruar Osmani.

Postimi i plotë:

25- vjet më parë iku pajtimtari, mbledhësi i folklorit e atdhetari Anton Çetta.

Ai e bëri ta pamundshmen në një kohë të pamundshme, kur mblodhi rreth vetes shqiptarët për t`i pajtuar, për ta mbyllur plagën shekullore.

Ideja e tij për pajtimin nuk ka marrë fund. Ëndrra vazhdon, teksa nevoja për pajtim e unifikim vjen e rritet në këto kohë të zorshme për vendin.

Ai la pas vetes 1200 gjaqe të falura. Ne nuk arritëm ende ta kemi një shtatore të tij të vendosur në një vend të denjë, ku mund të përkulemi, e ta falënderojmë që në vitet e 90-ta na ktheu shpresën, në mobilizoi e na bëri një rreth kauzës kombëtare.

Ndaj sot, dy dekada më pas një shtatore për Plakun e urtë do t`i bënte nder jo vetëm kryeqytetit, por gjithë Kosovës! Si Kryetare e Kuvendit, do t’i propozojë Kryesisë së institucionit më të lartë përfaqësues e legjislativ, që shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e Kuvendit, pra në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit, si figurë frymëzimi e pajtimi. /Telegrafi/