Site icon Telegrafi

Osmani në 23 vjetorin e masakrës së Reçakut: Mohimi i fakteve të luftës, është përsëritje e krimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 23 vjetorin e masakrës së Reçakut tha se mohimi i fakteve të luftës dhe masakrës së Reçakut është përsëritje e krimit.

Osmani gjatë ceremonisë përkujtimore u shpreh se “Atë ditë Kodra e Bebushit ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzimit, pasqyrim io krimit kundër shqiptarëve, pasqyrim i qëllimit shfarosës e gjenocidal të regjimit të Millosheviqit, ishte pasqyrim i masakrave ndaj njerëzve të cilët ishin në shtëpitë e tyre, që u përballën me egërsinë e forcave policore e ushtarake serbe”.

“Mohimi i fakteve të luftës, përmes rehabilitimit të kriminelëve të luftës, është përsëritje e krimit. Por, e vërteta e Reçakut është shumë më e fuqishme se çfarëdo propagande nga bashkëpunëtorët e afërt të regjimit të Millosheviqit”, tha ndër të tjera presidentja Osmani.

Ajo shtoi se tendenca për mohimin e kësaj masakre është përpjekje për të rehabilituar ata që kanë kryer krime.

“Tendencat për ta mohuar masakrën e Reçakut janë përpjekje e qartë për të rehabilituar ata që kanë kryer krime, por propaganda asnjëherë nuk mund t’i ndryshojë faktet historike. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit, por edhe shpërfaqje e qëllimit të Serbisë së atëhershme për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut”, theksoi Osmani. /Telegrafi/

Exit mobile version