Telegrafi

Osmani në 18-vjetorin e vrasjes së Tahir Zemajt: Është detyrim i yni që të bëjmë shtet ligjor që vendos drejtësinë për krimet e kryera

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Tahir Zemajn në 18 vjetorin e vrasjes së tij.

Osmani ka thënë se nuk mjafton vetëm të bëhet thirrje për drejtësi, por duhet ta kujtojnë se është detyrim të bëhet shteti ligjor që mbron qytetarët e vet dhe vendos drejtësinë.

“Ne humbëm një komandant lufte të shkolluar dhe një veprimtar të shkëlqyer, si dhe dy djem në lulen e rinisë, vetëm pse i njohën dhe  i respektuan institucionet e vendit të ndërtuara nga Presidenti Rugova dhe nuk u nënshtruan para kërcënimeve. Për më tepër, vrasja e tyre, sikur edhe e shumë veprimtarëve të tjerë, mbeti sot e kësaj dite e pazbardhur. Andaj, derisa e rikujtojmë sot këtë humbje të madhe, nuk mjafton vetëm të bëjmë thirrje për drejtësi, por duhet t’ia kujtojmë vetes po ashtu se është detyrim yni që të bëjmë shtet ligjor, i cili i mbron qytetarët e vet dhe e vendos drejtësinë në vend për krimet e kryera, të çfarëdo kohe qofshin ato”, shkruan Osmani në Facebook.

Postimi i plotë:

Sot është 18-vjetori i vrasjes së komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, heroit të kombit, Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij, Enisit, si dhe kushëririt Hasan Zemajt. Ata u vranë pabesisht nga një dorë tinëzare, më 04 janar 2003, në hyrje të Pejës.

Ne humbëm një komandant lufte të shkolluar dhe një veprimtar të shkëlqyer, si dhe dy djem në lulen e rinisë, vetëm pse i njohën dhe  i respektuan institucionet e vendit të ndërtuara nga Presidenti Rugova dhe nuk u nënshtruan para kërcënimeve. Për më tepër, vrasja e tyre, sikur edhe e shumë veprimtarëve të tjerë, mbeti sot e kësaj dite e pazbardhur.

Andaj, derisa e rikujtojmë sot këtë humbje të madhe, nuk mjafton vetëm të bëjmë thirrje për drejtësi, por duhet t’ia kujtojmë vetes po ashtu se është detyrim yni që të bëjmë shtet ligjor, i cili i mbron qytetarët e vet dhe e vendos drejtësinë në vend për krimet e kryera, të çfarëdo kohe qofshin ato.

Vepra e komandant Zemaj mbetet e shënuar në historinë e Kosovës dhe gurëthemel i përpjekjeve për pavarësi. /Telegrafi/