Site icon Telegrafi

Osmani: Mohimi i kandidaturës për kryetare të LDK-së për mua do të thotë përjashtim nga partia (Video)

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka thënë se nuk duhet t’i shkojë në mendje dikujt që të përgatis një skenar si në zgjedhjet e kaluara për kryetar të LDK-së.

Osmani, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë njerëzit në LDK duhet ta kenë lirinë të zgjedhin kënd të dëshirojnë pa ndonjë frikë.

“Akoma nuk kam vendosur nëse do të kandidojë për kryetare të LDK-së, për shkak se ecuria varet nga degët dhe delegatët e zgjedhur në degët e caktuara. Unë jam vetëm një votë”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se procedurat në LDK janë të tilla që 355 delegatët mund të marrin parasysh vullnetin e elektoratit ose jo, por sipas saj duhet të respektohet vullneti i lirë.

Ish-kandidatja për kryetare të LDK-së në zgjedhjet e fundit, ka thënë se statuti i partisë i lejon çdo delegati të zgjedhur të kandidojë për kryetar.

“Në zgjedhjet e fundit ka qenë situatë ndryshe pasi kam përfaqësuar zërin e njerëzve që kanë qenë kundër koalicionit me PDK-në. Në këto zgjedhje mohimi i kandidaturës mund të konsiderohet si mohim i anëtarësisë. Nëse nuk më konsiderojnë anëtare atëherë kjo i bie si përjashtim nga partia”.

Osmani ka thënë se megjithatë ka shpresë se nuk ka vullnet te njerëzit në LDK që të bllokojnë kandidaturën e ndokujt në LDK./Telegrafi/

Exit mobile version