Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përshëndetur miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Osmani ka thënë se, institucionet e Republikës së Kosovës njëzëri refuzojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe praktikën ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.
“Mirëpres konsensusin mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës njëzëri refuzojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe praktikën ndërkombëtare. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me aleatët tanë në fuqizimin e sovranitetit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës ndaj veprimeve destabilizuese dhe të njëanshme të Serbisë”, thotë mes tjerash presidentja Osmani.
Ndryshe, sot Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin e mbajtjes së votimeve në Kosovë për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Rezoluta e miratuar ka tetë pika. /Telegrafi/