Kandidatja për kryeministër nga LDK-ja, Vjosa Osmani ka thënë se ka bashkuar të gjithë personat më të mirë brenda LDK-së rreth saj.
Osmani, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se meriton të bëhet kryeministre pasi i takon një kulture politike demokratike të njëmend e jo sa për sy e faqe.
“Kam dëshmuar më shumë se çdo politikanë në Kosovë konsistencë politike sidomos në vendime të rëndësishme politike ku është mbrojtur interesi qytetar”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Ish-deputetja e LDK-së ka thënë se meriton të jetë kryeministre pasi ka një përgatitje profesionale të dëshmuar ndërkombëtarisht.
“Deri tani e kam dëshmuar se asnjëherë nuk e tjetërsoj besimin e qytetarëve. Pavarësisht komenteve, qytetarët janë ata që e dëshmojnë konsistencën time politike”.
Osmani ka thënë se ajo ka pushtet brenda LDK-së më shumë se që ka çdo kandidatë për kryeministër në partitë e tyre.
“Asnjë parti nuk mund të jetë e fuqishme nëse garon duke u rrethuar nga kulti i individit. Unë jam e vetmja që kam ekip e madje ekip të shkëlqyer. Ekip fitues që janë profesionistë të gjitha fushave e madje që janë kthyer nga jashtë për të kontribuar në këtë vend”, deklaroi ndër të tjera Vjosa Osmani./Telegrafi/