Site icon Telegrafi

Osmani: Mburremi që nuk ramë në kurth, Lista Serbe është “krijesë” e Hashim Thaçit (Video)

Debati parlamentar për krijimin e ushtrisë së Kosovës ka vazhduar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Përplasja rreth ushtrisë ndodhi mes pozitës dhe LDK-së, ku këtë të fundit e akuzuan se ka penguar krijimin e ushtrisë në vitin 2014.

Lidhur me këto akuza deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani u është kundërpërgjigjur të gjitha akuzave, duke thënë se askush nuk e ka garantuar Kosovën se nëse i vazhdon mandatet e komuniteti serb do të krijohej ushtria.

“Në asnjë moment nuk ka pasur garanci nga askush e në veçanti nga pakica serbe se në qoftë se vazhdohen vendet e rezervuara ata do ta votonin ushtrinë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se ky ka qenë një kurth i ndytë. “Ky ka qenë një kurth në të cilin keni dashur që të na fusni neve që të votohen më shumë vende për pakicat se sa që i kanë tani, dhe a e dini cili ka qenë rezultati i mundshëm me atë dalje në përqindje të serbëve që kishim në atë kohë, sot do t’i kishim ata grupin më ta madh parlamentar”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se si LDK mburren që nuk kanë pranuar një kurth dhe skenar të tillë.

“Ne si LDK mburremi se kemi thënë nuk pranojmë një kurth e një skenar të tillë. Lista Serbe asnjëherë nuk ka deklaruar se do ta votonte ushtrinë”, shtoi Osmani.

Deputetja e LDK-së, i ka kërkuar zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj që të sjell fakte për atë që deklaroi se LDK-ja dhe VV-ja e kanë penguar krijimin e ushtrisë.

“Na sillni dokumentin z. Hoxhaj sepse këtu është vetëm fjala ime kundër fjalës tënde”, tha Osmani.

Osmani i është drejtuar Hoxhajt se “Lista Serbe është krijesë e juaja, është krijesë e marrëveshjes së vitit 2013 të nënshkruar nga Hashim Thaçi”. /Telegrafi/

Foto: Arkiv

Exit mobile version