Site icon Telegrafi

Osmani: Masat e Vuçiqit nuk kanë asnjë rëndësi për Kosovën – qëllimi i tij është destabilizimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kërkesat dhe masat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq nuk kanë asnjë rëndësi për Kosovën dhe se qëllimi i tij është destabilizimi i rajonit.

E para e vendit, tha se Vuçiq po tenton t’i hedh hi syve aleatëve ndërkombëtarë me kërkesa për ri integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Mirëpo, Osmani tha se qëllimi kryesor ti tij është destabilizimi i vendit.

“Vuçiq duhet të kuptojë një herë e përgjithmonë se Kosova është vend sovran dhe pavarur, me institucione legjitime dhe demokratike të cilat marrin vendime për të gjithë qytetarët dhe çdo cep të Kosovës. Kërkesat e një presidenti të një shteti tjetër të cilat nuk bëhen në mirëbesim dhe nuk e kanë asnjëherë prioritet interesin e qytetarëve, por vetëm e vetëm interesat destabilizuese të Serbisë s’kanë rëndësi për Kosovën. Për më tepër unë jam e bindur se presidenti serb nuk është i interesuar që të realizohen ato që ai i paraqiti si kërkesa. Ai nuk është i interesuar në rikthimin e serbëve në institucione të Republikës së Kosovës. Unë jam e bindur se kur Vuçiq flet për rikthimin e serbëve në polici, gjyqësi, parlamentar dhe të tjera ai në fakt po i prezanton këto si fjalë e retorikë për të hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjanë në të vërtetë. Që janë përpjekjet e tij të qeverisë së tij, ushtrisë së tij në trajtimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare që kanë qëllim vetëm dhunën… Në asnjë moment nuk e besoj se Vuçiq është interesuar që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës”, tha ajo, transmeton KP.

Megjithatë, Osmani tha se institucionet e Kosovës duhet të punojnë në lidhje që të gjithë qytetarët e nacionalitetit serb në Kosovë në përputhje me procedurat e ligjshme të jenë në të gjitha institucionet e Kosovës.

“Kjo nuk do të thotë që ne si institucione të Kosovës mos të punojmë hapur me të gjithë qytetarët tanë të nacionalitetit serb, në përputhje me procedurat e ligjshme ata të jenë prezent në të gjitha institucionet e Kosovës, gjë e cila ju takon me Kushtetutë dhe ligjet që kanë dal nga Pakoja e Ahtisaarit”, theksoi Osmani.

Në lidhje me dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se i njëjti nuk po zhvillohet në përputhje me parimin e barazisë.

Ajo nënvizoi se hapja e urës së Ibrit nuk duhet të bëhet temë në dialogun e Brukselit, pasi kjo do të ishte cenim i sovranitetit dhe kushtetutshmërisë.

“Kosova vazhdimisht ka treguar përkushtim jo vetëm zbatim të marrëveshjeve të Brukselit të cilat janë ligjërisht të zbatueshme, por të njëjtën kohë ka treguar përkushtim për paqe. Problemi është se ky dialog ka një kohë të gjatë që po dëshmon se nuk po organizohet në përputhje me parimin e barazisë së palëve. Në asnjë moment nuk shihet se dy palët që po trajtohen në dialog të barabartë… Nëse dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë kjo është shkelje e sovranitetit dhe kushtetutës së Kosovës. Në asnjë moment nuk është interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Kjo temë patjetër që duhet të diskutohet dhe dialogohet me partnerët tanë të sigurisë”, theksoi Osmani.

Krahas kësaj, Osmani tha se Kosova s’ka frikë nga asnjë kërcënim i Vuçiqit, pasi institucionet e sigurisë janë të gatshme të mbrojnë sovranitetin në çdo cep të vendit.

Këto komente, presidentja Osmani i tha para mediave pas lansimit të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. /Telegrafi/

Exit mobile version