Vjosa Osmani përfundimisht ndau rrugët me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por, thotë se nuk do të bëhet pjesë e asnjë partie tjetër në Kosovë
Osmani në Prime Time në Kanal10 ka pranuar se ka shumë mos pajtime me tashmë me ish-partinë e saj. Madje, ka drejtuar edhe akuza për mos bashkëpunim dhe mos përmbajtje të parimeve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
E kjo ka qenë arsyeja që ajo i ndau rrugët me partinë e Isa Mustafës.
Osmani thotë se për momentin është pa parti dhe përgjegjësinë e saj e ndan vetëm ndaj qytetarëve që ia kanë besuar votën.
“Në një Kosovë që për 20 vjet ka degraduar, ku njerëzit mendojnë si të ikin, duhet ta kemi të qartë se kemi të bëjmë me dy pole të kundërta. Kurdo që mbahen zgjedhjet e ardhshme, duhet të ketë një ndarje të qartë ndërmjet një grupi të njerëzish që janë kapës të shtetit dhe të njerëzve që kanë vullnet e guxim që ta largojnë kapjen e shtetit. Ky është kualifikimi i dokumenteve të BE-së për një shtet të kapjes, krimit e korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare”, është shprehur ajo.
Osmani tha se prioritet kryesor duhet të jetë se si të shpëtohet vendi nga gjendja aktuale.
“LDK-ja ku jam rritur ma ka mbyllur çdo derë dhe tash ajo angazhohet në një fushatë denigruese dhe përdorin gjuhë të turpshme. Unë duhet t’i shqyrtoj mundësitë e mia për angazhim politik, por jo të aderoj në një parti tjetër, por të shikohet nëse ka mundësi të krijohet një parti e re”, tha Osmani.
Osmani ka bërë të ditur se ajo nuk do të bëhët pjesë e asnjë partie tjetër në Kosovë.
“Nuk do të aderoj në një parti tjetër, po shikojmë drejt themelimit të një bashkimi të forcave të intelektualëve në një iniciativë qytetare”, ka njoftuar ajo.
Megjithatë, zonja Osmani sqaron se është fjala vetëm për zgjedhjet e ardhshme.