Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sot u konstituua Grupi i Deputetëve të Gjelbër i Legjislaturës VII.
Sipas Grupit me përfaqësim gjithpërfshirës politik, avancimi i politikave të gjelbra në vend, përveç se ndikon pozitivisht në mbrojtje të mjedisit, ka ndikim të drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e shëndetit publik, posaçërisht në kohën e përballjes me pandeminë Covid-19.
Kryetarja Osmani i falënderoi deputetët për angazhimin në avancimin e agjendës së gjelbër si dhe përkushtimin për ta promovuar dhe zbatuar atë.
“Jemi dëshmitarë që tashmë politikat e gjelbra janë në qendër të tërë konceptit të zhvillimit ekonomik dhe kjo është dëshmuar qartë me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Andaj, është koha që Kuvendi i Kosovës të ketë qasjë proaktive në adresimin e sfidave mjedisore dhe promovimin e agjendës së gjelbër, ngaqë kjo ndikon drejtpërdrejt në mbrotjen e shëndetit tonë por edhe rezulton në mundësi të pafundme ekonomike të paeksploruara deri me tani”, ka theksuar zonja Osmani.
Deputetët anëtarë të Grupit të Gjelbër konfirmuan dedikimin e tyre për një aktivizëm të mirëfilltë të këtij grupi, duke u angazhuar në zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës mbi gjendjen alarmante të cilësisë së ajrit të vitit 2018.
Ata, gjithashtu u zotuan për t’u angazhuar në nisma vetëdijësuese, rishikim dhe monitorim të zbatimit të legjislacionit mjedisor, por edhe në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, sidomos në sferën e bashkëpunimit me shoqërinë civile, nivelin lokal dhe komunitetin e biznesit. /Telegrafi/