Telegrafi

Osmani kujton Ukë Bytyqin: Liria do të mbetet e paplotë për aq kohë sa vrasjet politike nuk zbardhen

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar kryetarin e Suharekës, Ukë Bytyqi, në 18 vjetorin e vrasjes së tij.

Osmani përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Bytyqi në vitet e 90-ta ka qenë prijës i LDK-së në Komunën e Suharekës.

Ajo tha se Bytyqi ka marr pjesë në organizimin e celulave të para të UÇK-së.

“Sot, në 18-vjetorin e vrasjes, ne e kujtojmë kryetarin e Suharekës, Ukë Bytyqin, udhëheqësin e jetës politike e institucionale në Suharekë, bashkëmendimtarin e bashkëveprimtarin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. E kujtojmë familjarin e mirë e prijësin e urtë, i cili Suharekës e suharekasve ua dha modelin e prijësit guximtar e të vendosur, jo vetëm për organizimin e jetës paralele gjatë lëvizjes për pavarësi, në vitet ’90, duke qenë prijës i LDK-së në këtë komunë, por edhe për organizimin e luftës, duke marrë pjesë në organizimin e celulave të para të UÇK-së, dhe pas luftës, kur mori përsipër t’u printe qytetarëve të këtij qyteti në ndërtimin e jetës institucionale e politike”, ka thënë Osmani.

Osmani po ashtu ka shkruar se guximi, vendosmëria, urtia e fjala e peshuar e shndërruan Bytyqin në njeri të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe gjithë Kosovë.

Ajo tha se së bashku me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin, ai u vra pikërisht sepse po i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh.

“Jetën e lirë e shtetin e konsoliduar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë e të manifestimit paqësor, të cilat konsiderohen fundament i shtetësisë. Liria e vendit do të mbetet e paplotë për aq kohë sa këto vrasje politike do të jenë të pazbardhura”, ka shkruar ndër të tjera Osmani. /Telegrafi/