Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar të rënët e Rakocit dhe Lagjes së Re në Kaçanik.
Osmani përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se sakrifica e tyre është testament historie për rrugën deri te liria.
“Sot i kujtojmë me nder e respekt gjithë ato gra e burra, të cilët janë shtyllë e fuqishme e lirisë, pavarësisë dhe e shtetit tonë”, ka shkruar Osmani.
Postimi i plotë:
22-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal serb ia mësynë Rakocit dhe Lagjes së Re në Kaçanik. Në Betejën e 9 prillit të vitit 1999 për mbrojtjen e pragut të shtëpisë ranë 28 dëshmore e dëshmorë dhe 32 martirë.
Pjesëtarë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, të UÇK-së, e deshën lirinë dhe u flijuan për të. Sakrifica e tyre është testament historie për rrugën deri te liria.
Sot i kujtojmë me nder e respekt gjithë ato gra e burra, të cilët janë shtyllë e fuqishme e lirisë, pavarësisë dhe e shtetit tonë.
Përveç tjerash, Beteja e 9 Prillit dëshmoi edhe për guximin dhe kontributin e grave për lirinë e vendit. Në altarin e lirisë, këtë ditë ranë: Lumnije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, dhe Mukadeze Muhaxheri-Lika.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmoret, dëshmorët e martirët! /Telegrafi/