Site icon Telegrafi

Osmani kujton Shaban Manaj: Tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kujtuar Shaban Manajn në 21 vjetorin e vrasjes, duke thënë se tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se Manaj luftoi për kauzën e lirisë, e cila u shndërrua në udhërrëfyese të jetës së tij.

“21 vjet më parë, pasi u rrëmbye, u vra mizorisht njëri ndër veprimtarët më të shquar të Kosovës për liri e pavarësi, avokati i njohur, Shaban Manaj. Ai qe intelektual, i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.

Bashkudhëtar e bashkëmendimtar i presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, Manaj luftoi për kauzën e lirisë, e cila u shndërrua në udhërrëfyese të jetës së tij. Ai nuk u dorëzua asnjëherë para vështirësive dhe nuk hoqi dorë nga ideali i tij për ta parë vendin të lirë. Për kontributin e dhënë për Kosovën është dekoruar me urdhrin ‘Hero i Kosovës’.

Populli i Kosovës do ta përkujtojë përherë shëmbëlltyrën e Shabanit dhe sakrificën e tij për atdheun, ndërkaq përpjekjet tona për drejtësi nuk do të ndalen kurrë”, shkruan Osmani. /Telegrafi/

Exit mobile version