Telegrafi

Osmani kujton ekzekutimin e Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij: Shpërfaqje e egërsisë së regjimit kriminal serb

Foto: Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.

Përmes një deklarate, Osmani ka thënë se në ditën kur NATO vendosi t’i japë fund regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit me fillimin e sulmeve ajrore, avokati bashkë me djemtë e tij u rrëmbyen nga forcat serbe dhe u ekzekutuan në mënyrë barbare.

“Ekzekutimi i avokatit Kelmendi dhe djemve të tij ishte i planifikuar dhe shpërfaqje e egërsisë së regjimit kriminal serb në kohën kur liria jonë nisi të dukej në horizont”, thuhet në deklaratën e presidentes.

Ajo tutje ka deklaruar se avokatin Kelmendi “do ta kujtojmë për angazhimin e palodhshëm në fushën e drejtësisë dhe nuk do të ndalojmë asnjëherë që vrasësit e tij dhe të dy djemve të vihen para drejtësisë”.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për avokatin dhe bijtë e tij!”, ka përfunduar Osmani. /Telegrafi/