Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë, e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, për heqjen e reciprotetit ndaj Serbisë.
Ajo në një postim të saj në rrjetin social Facebook ka shkruar se ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë.
Sipas saj, të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës.
“Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook. /Telegrafi/