Site icon Telegrafi

Osmani kritikon keqpërdorimin e aleatëve për interesat politike: Vënia në rrezik e tyre cenon mbrojtjen e Republikës

Në adresimin e saj vjetor, presidentja Vjosa Osmani theksoi se politika e shtetit duhet të pasqyrojë interesat afatgjata të Kosovës dhe jo ato të përkohshme që janë të lidhura me fushatat zgjedhore.

“Në këtë rrugëtim ajo që dëshmon më së miri zhvillimin dhe pjekurinë e shtetit tonë, është momenti kur ne sigurohemi që politikat tona të pasqyrojnë atë që është drejtë e jo atë që është politikisht e përshtatshme, atë që është e duhur, e jo atë që tingëllon bukur. Atë që është në interes shtetëror afatgjatë e jo në interes të votave të një palë zgjedhjesh, atë që ngrit shtetin tonë lartë e jo vetëm që i ngrit numrat në sondazhe”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka shtuar se gjatë mandatit të saj ka punuar me ngulm të forcimit të shtetësisë tonë, ruajtjes së alancave.

Ajo vuri theksin në rëndësinë e forcimit të aleancave ndërkombëtare, duke theksuar se “Asnjë shtet nuk ka sukses në izolim”.

Lexo po ashtu Osmani: Vizionet e binomit Rugova-Jashari kanë ndërtuar shtetin e Kosovës

Osmani bëri thirrje për ruajtjen e partneriteteve strategjike, duke theksuar se “Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhje”

Osmani shtoi se aleancat janë për të na mbrojtur, “prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë”

Ajo gjithashtu kritikoi ata që keqpërdorin aleatët për interesat politike, duke thënë: “Asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës.”

Presidentja theksoi se vetëm duke punuar bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe duke ruajtur vlerat e aleancave, Kosova mund të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt. /Telegrafi/

Exit mobile version