Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur në takim ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen E. Donfried, dhe zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Gabriel Escobar.
Pas takimit Osmani dhe ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen E. Donfried kanë mbajtur një konferencë për media.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se gjatë takimit me delegacionin amerikan është diskutuar për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut gjithnjë të përqendruar në njohjen reciproke.
Ajo ka thënë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët tjerë nuk do të duhej të përcaktoheshin nga dialogu me Serbinë.
“E ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog dhe se mbetemi të përkushtuar ndaj këtij procesi i cili në qendër e ka njohjen reciproke dhe nga i cili do të përfitojnë përfundimisht qytetarët tanë”.
Osmani ka thënë se ka shprehur shqetësimin e Kosovës për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura nga Serbia.
“Kam shprehur shqetësimin edhe për mos shpërbërjen e strukturave paralele nga ana e Serbisë që vazhdojnë të frikësojnë serbët e Kosovës dhe përbëjnë sfidë serioze të sundimit të ligjit dhe sigurisë”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Ajo ka thënë se aleatët amerikan do të vazhdojnë të jenë të përkushtuar për të ruajtur paqen në Ballkan.
“Amerika e mbështet sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës”.
Presidentja e Kosovës ka thënë se janë zotuar para amerikanëve se do të mbrojnë pakicat siç e përcakton kushtetuta.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të madh se Kosova në rajon dhe më gjerë. Ne kemi treguar angazhimin tonë proaktiv siç ishte me rastin e pritjes së refugjatëve afgan, gatishmërinë për të pritur refugjatë ukrainas. Angazhimi ynë aktiv në ruajtjen e paqes në rajon dhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje me qëndrimet e aleatëve tanë. Ne mund të jemi vend i vogël por duke punuar me partnerët tanë, por duke punuar me aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të kemi impakt të rëndësishëm në botë”, deklaroi tutje Osmani./Telegrafi/