Presidentja në Detyrë e Kosovës Vjosa Osman ka nisur vizitën e saj treditore në Shqipëri.
Osmani në një konferencë të përbashkët me homologun e saj Ilir Meta këtë të enjte është shprehur se Shqipëria duhet të jetë zëri në arenën ndërkombëtare në ato organizata ku Kosova akoma nuk ka një ulëse.
“Si dy shtete të ecim bashkarish dhe pse me flamuj të ndryshëm, që gjithmonë kanë luftuar dhe nuk janë mposhtur. Gjithë procesi ynë i shtet ndërtimit ka qenë i vështirë por kemi pas në krah Shqipërinë. Tashmë e vërteta është se Serbia ka kryer krime lufte në Kosovë dhe këtë e ka parë e gjithë bota mbarë. Për të mos lejuar që të përmbyset e vërteta kemi nevojë për qëndrimin në krah të Shqipërisë që të jetë ajo zëri ynë atje ku ne nuk kemi mundësi, të jetë ajo pasqyra jonë. Në këtë takim me presidentin Meta kemi diskutuar pikërisht për këtë çështje dhe rolin që Shqipëria ka në organizatat që Kosova nuk ka ende ulëse”, tha Osmani.
Ajo foli edhe për coronavirusin dhe vaksinën anti-COVID.
“Ne jemi të shqetësuar sidomos për faktin se numri i qytetarëve që kanë humbur jetën nga Covid është i lartë u shpreh ngushëllimit të gjithë familjeve në Shqipëri që kanë humbur jetën. BE do të sigurojë vaksinën vetëm për 20 % të popullatës sonë por nuk është i mjaftueshëm ndaj duhet të bashkëpunojmë që të sigurojmë vaksinën për qytetarët e dy vendeve tona”, u shpreh ajo.
Osmani ndër të tjera ka theksuar se ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë janë të padrejta pasi e gjithë bota e di se Serbia ka bërë gjenocid dhe në lidhje me këtë ajo thekson se është e rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën për gjenocidin.
“Kosova dhe këto dit ka dëshmuar se dhe pse shtet i ri ka stabilitet të fortë rajonal. Një ndër asetet dhe potencialet më të mëdha është mërgata jonë dhe për këtë ne duhet ta shfrytëzojmë më së miri këtë. Çështja e parë është që Kuvendi i Shqipërisë të miratoje rezolutën që do të dënonte gjenocidin serb në Kosovë, që në Kosovë është miratuar një gjë e tillë, dhe presim që Shqipëria të jetë vendi i dytë që do e bëjë këtë”, tha tutje.
Po ashtu Osmani ka folur edhe për ndryshimin e kufijve, për të cilën tha se është një aventurë e rrezikshme.
“Ndryshimi i kufijve është një aventurë e rrezikshme dhe sado që të mendojmë se kjo është një ide e vdekur mund të rikthehet ndaj është e rëndësishme që në Kosovë dhe në Shqipëri të jetë një zë i fortë kundërshtues. Një tjetër krim që po u bëhet shqiptarëve në Bujanovc, Medvegjeve dhe në Presheve që po bëhet një spastrim i heshtur, duhet një zë i fortë për të zmbrapsur Serbinë në këtë krim. Integrimi në NATO është një tjetër hap i rëndësishëm dhe nga Shqipëria mund të mësojmë shumë dhe ne presim të mësojmë nga Shqipëria, sa i përket integrimit të Shqipërisë ne jemi një zë që shqiptarëve u takon të ecin përpara, ndërkohë Serbia ka disa hapa në këtë proces ndërsa ne jemi të bllokuar”, ka thënë Osmani, njofton Telegrafi.
Presidenti i Shqipërisë tha se Shqipëria dhe Kosova janë të fokusuara në rrugën europiane.
“Vlerësuam të gjitha mundësitë qe e bëjnë edhe me konkrete bashkëpunim midis dy vendeve tona, në mënyrë që te jemi një shembull edhe për sa i takon standardeve të demokracisë, por njëkohësisht edhe për sa i takon përparimit të integrimit evropian në rajonin tonë”, tha Meta.
Meta po ashtu bëri thirrje që dy vendet të shtojnë bashkëpunimet në të gjitha fushat, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbim eksperiencash mes shkencës, kluturës dhe biznesit.
“Marrëdhëniet shumë të mira ndërshtetërore kanë nevojë të gjenerojnë mundësi praktike, në mënyrë që kufiri ndërshtetëror të behët jo vetëm i padukshëm, por edhe qytetarë tanë, artistët, bizneset, sportistë, intelektualët, njerëzit e shkencës, të rinjtë tani edhe më shumë ta afrohen dhe të shkëmbejnë eksperienca me njëri tjetrin, dije, përvojë eksperienca, dije, kulturë, dhe unë besoj se kjo do të ndodhë më mirë në të ardhmen”, theksoi tutje.
Po ashtu u shpreh edhe njëherë i vendosur për të ruajtur integritetin dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës.
“E sigurova presidenten Osmani, se ne do të mbështesim me të gjitha energjitë tonë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, sepse jemi të bindur në legjitimitetin e saj ndërkombëtar’, tha Meta./Telegrafi/